Quantcast
Channel: Lezha Online » Berisha
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10

Wikileaks, dosja sekrete e ambasades amerikane

$
0
0
Wikileaks, dosja sekrete e ambasades amerikane

Wikileaks, dosja sekrete e ambasades amerikane

Një radiografi e ashpër për shoqërinë shqiptare, një gjykim i akullt për çfarë vete keq në këtë vend dhe emrat e përgjegjësve të së keqes.

Publikohen telegramet e Ambasadës Amerikane në Tiranë duke treguar Shqipërinë e vërtetë, që e njohin në të njëjtën mënyrë edhe të gjithë shqiptarët. Cilat janë sekretet që turpërojnë një klasë politike të kriminalizuar, të korruptuar e të pandëshkuar dhe si e shohin shoqërinë shqiptare amerikanët? Zgjedhjet e manipuluara, Gërdeci e armët, rruga Durrës-Kukës, lidhjet me krimin, antikomunizmi i ish-komunistit Berisha, gjithçka që turpëron sot vendin në telegramet e publikuara nga Wikileaks

Wikileaks, dosja sekrete e ambasades amerikane

Të famshëm, të pasur, si rregull, përtej mundësive që ju jep rroga, të fortë e të ashpër, por dhe të pashëm përpara kamerave të televizorit. Këta janë politikanët shqiptarë, një pjesë e madhe e të cilëve të trashëguar nga elita ish-komuniste e para viteve 90´ dhe një pjesë tjetër e mbërritur në majë të pushtetit për shkak të afërsisë me mbizotëruesit e poleve të pushtetit. Kjo është pamja e parë e tyre, por kujdes! Gjithçka është nën vëzhgim. Si një “redaksi gjigante” mediaje që beson se puna e saj më e rëndësishme nuk do të botohet kurrë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, falë incidentit Wikileaks, demonstroi këtë javë gjithë mendimet e saj të fshehta për çfarë ndodh në Shqipëri. Për zgjedhjet, për politikën që rrjedh nga zgjedhjet, për ekonominë, korrupsionin, për Forcat e Armatosura e Shërbimin Sekret, për drejtësinë shqiptare, gjyqësorin dhe organin e akuzës, për median, për individë të ndryshëm me pushtet e deri dhe konsiderata për shoqërinë shqiptare e mënyrën e saj të jetesës dhe të të kuptuarit të botës.

Një mal me informacion “të akullt”, pa ngarkesë emocionale që dëshmon sesi është realisht bota e vogël shqiptare e parë nga sytë e huaj të aleatit strategjik të Shqipërisë. Pa pudrën dhe makiazhin diplomatik, pa buzëqeshjet formale në pritje zyrtare, por ashpër dhe vrazhdë siç është rëndom e vërteta, rrëmeti Wikileaks tregoi çfarë mendojnë realisht amerikanët për shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe politikën e saj në veçanti. Lakuriq e të mjerë, në rastin më të mirë dhe të korruptuar të pandëshkuar e madje edhe të lidhur me krimin, në rastin më të keq – përkundër formës që politika shqiptare tregton në sy të publikut – ky është thelbi i tablosë së zymtë që botimet masive me temë Shqipërinë, mbërritën në duart e publikut. Të vërteta të cilat nuk habitën pothuaj askënd me vëmendje minimale për Tiranën zyrtare, por më shumë se kaq, ato ishin konfirmim i asaj që siç shkruhet në kabllogramet amerikane, ishin prej kohësh tema bisedash në “institucionin kombëtar të kafeneve” në Shqipëri.

Pothuaj të gjithë emrat më të njohur të politikës shqiptare, deri dhe numrat e tyre të telefonit apo njohuritë për gjuhët e huaja, parakalojnë në telegramet me drejtim Tiranë – Uashington. Me forcën e tyre, por sidomos me dobësitë e tyre ekstreme, me gënjeshtrat e hipokrizinë dhe hilet e vogla ballkanase për hir dhe në emër të pushtetit personal. Tërësia e dokumentave të publikuara afron të vërteta të hidhura, qoftë për pushtetin ekzekutiv dhe përdorimin dhe shpërdorimin e tij, qoftë për atë legjislativ, për gjyqësorin dhe vetë median. Një pamje që rrënqeth.

Zgjedhjet

Çfarë gjykohej në shqip dhe kundërshtohej fort po në shqip, tashmë është thënë qartë në anglishten e fshehtë diplomatike të ish-ambasadorit Uidhers. Zgjedhjet janë pika më delikate e shoqërisë shqiptare, e cila, së paku në 15 vjetët e fundit, është një institucion i rrënuar që nuk ka prodhuar në asnjë rast legjitimitet të plotë të qeverisjes së vendit. “Si të vjedhësh votat me stilin shqiptar”, është titulli i një telegrami që ambasadori Uidhers ka firmosur pak ditë para zgjedhjeve të vitit 2009, në 12 qershor. “Edhe pse ka bërë përparime, Shqipëria mbetet një vend ku manipulimet në zgjedhje nuk mungojnë. Blerja e votave, rryshfeti për komisionerët, kartat e rreme apo frikësimi i votësuesve, të gjitha funksionojnë në këtë vend”, shkruhet në këtë telegram. Thyerja e madhe e institucionit të zgjedhjeve, sipas amerikanëve, ka ndodhur në maj të vitit 1996. Mbas tyre, vetëm një vit më pas, Shqipëria hyri në kaos dhe vazhdon të jetë në një tjetër formë të kaosit edhe mbas disa palë zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale. Për të ndalur në zgjedhjet e fundit, kryesisht për Tiranën dhe duke bërë analogji me mënyrat sesi frakturohet vota shqiptare që identifikojnë amerikanët, historia ngjan si dy pika uji.

“Askush nuk numëron sa vota ka në kutitë e votimit dhe sa votues janë regjistruar”, shkruhet në qershor 2009, ndërkohë që dy vjet më pas, ka pasur diferenca domethënëse mes fletëve të gjetura në kutitë e votimit dhe numrit të zgjedhësve që kanë votuar. Në një proces që largoi Edi Ramën mbas më shumë se një dekade nga bashkia e Tiranës. Në të tjera telegrame ngrihen shqetësime akute nga fushatat elektorale të zhvilluara, të cilat, në thelb kanë të njëjtin shqetësim: ato nuk janë të ndershme, ato janë gjithmonë një garë e pabarabartë mes favoreve të pushtetit që pushteti i vë në funksion të fitores dhe opozitës. Mbas zgjedhjeve të 28 qershorit, një vështrim i akullt parashikues i ambasadorit Uidhers dëshmon atë çfarë po ndodh në këto dy vjet të mandatit të dytë të zotit Berisha: “Një pyetje e madhe për ne është sa efektive do të jetë një mazhorancë e dobët në qeverisje përfshi realizimin e reformave që ne dhe ky vend i ka të nevojshme”. Përgjigja mund të jepet shqip: aspak!

Politikanët

Dhe mbas zgjedhjeve të manipuluara, natyrisht edhe produkti i tyre, ligjvënësit shqiptare nuk do të mund të ishin ndryshe sipas këndvështrimit amerikan. Në një telegram të datës 13 gusht 2009, ish-ambasadori Uidhers bën një listë të pjesshme me emrat e gjashtë deputetëve nga më të rëndësishmit të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët dyshohen për lidhje me botën e krimit, si pjesë e tij apo si përfitues prej tij. Përtej faktit sesa real është një perceptim i tillë amerikan, ka një fjali në këtë raport që trishton pafund: “Sjellja e sëmurë, ndoshta kriminale e shumë deputetëve prej shqiptarë është shqetësuese dhe nuk premton për zhvillim demokratik. Eshtë gjerësisht e njohur në Shqipëri se të gjitha partitë kanë deputetë të lidhur me krimin e organizuar”, shkruan ish-ambasadori Uidhers. “Këta individë janë sot deputetë dhe kanë imunitet nga ligji…”. Kjo fjali kyçe e këtij telegrami, shpjegon dhe shumë detaje të tjera për atë çfarë ka ndodhur në vijimësi në Shqipëri.

Në këtë mënyrë, kuptohet dhe më qartë ngulmimi publik i ambasadës amerikane në Tiranë për rrudhjen e imunitetit, parashikuar në kushtetutë për një sërë zyrtarësh të lartë në vend. Një gjë që, pavarësisht se të gjithë aktorët e kanë përshëndetur, asnjëherë nuk është bërë realitet. Në këtë këndvështrim, dy nga proceset më të bujshme të dështuara në Shqipëri, tragjedia e Gërdecit dhe abuzimi fatal me rrugën Durrës-Kukës, kanë dështuar pikërisht për shkak të kulturës së pandëshkueshmërisë së instaluar në vend dhe për shkak se dy ministrat e akuzuar direkt, Fatmir Mediu dhe Lulzim Basha kanë mundur të shpëtojnë pa ju nënshtruar procesit të hetimit gjyqësor, sepse kanë pasur imunitet. “Ndërkohë që pritej që Prokuroria e Përgjithshme të kërkonte heqjen e imunitetit të Mediut, Kuvendi i Shqipërisë i mbylli punimet në mënyrë të papritur në datë 28 korrik”, vërehet në një tjetër telegram.

Ka dhe më shumë se kaq. Një dëshmi tronditëse vjen nga përdorimi që i është bërë rrugës Durrës-Kukës për interesa thelbësisht elektorale, pa kursyer rrezikimin e jetëve njerëzore dhe koston që duhej paguar. Një nga telegramet e zotit Uidhers konfirmon se dy drejtues të konsorciumit Bechtel-Enka kanë kërkuar që tunelet të hapen në tetor të vitit 2009, ndërsa kryeministri Berisha insistonte që një gjë e tillë të ndodhte në qershor. Arsyeja: fushata elektorale. Kundërarsyeja logjike: nuk kanë përfunduar punimet, rrezikohen jetë njerëzish dhe rritet kostoja me të paktën 15 milionë dollarë. Të paktën pjesa e dytë u verifikua dyfish, punimet që u bënë në tunel morrën 30 milionë dollarë më shumë për shkak të këmbënguljes së zotit Berisha.

Gërdeci

Ka fasha të shumta drite që hidhen në një nga pjesët më të errta të këtyre viteve të fundit. Tragjedia e Gërdecit. Ambasada amerikane ka shënuar me besnikëri mendimet e fshehta të saj, ka bërë analiza që u referohen shumë burimeve, të pavarura ose jo të tilla, që tregojnë disa nga misteret e asaj çfarë ka ndodhur në Gërdec dhe aktorët që e frymëzuan dhe shkaktuan tragjedinë si pasojë. Mes tyre dhe përmendja e emrit të të birit të kryeministrit, i cili, sipas një dëshmie të regjistruar nga ish-shefi i shtabit të Forcave të Armatosura Luan Hoxha, ka arritur deri sa t´i bëjë atij presion për të vazhduar demontimi i municioneve të kalibrit të rëndë në Gërdec. Sipas telegramit të datës 20 qershor 2009, Hoxha kishte shprehur edhe frikë për jetën e tij dhe sigurinë fizike. Në komentin e tij, zoti Uidhers shkruan se nëse versioni i ish-gjeneralit mban elementë të së vërtetës, ai mund të ndihmojë për të shpjeguar pyetjen më të rëndësishme të momentit: “…Pse kryeministri ka nisur sulme kaq të fuqishme kundër institucioneve kushtetuese duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar aq sa të verë në diskutim kredencialet demokratike të Shqipërisë…”

Një tjetër detaj i publikuar së fundmi: një nga krerët e policisë së shtetit, ish-truproja e Berishës, Agron Kuliçaj, i cili në këndvështrimin amerikan konsiderohet si i korruptuar dhe me lidhje me krimin. Eprori i tij direkt ka dëshmuar vetë se është i pafuqishëm ndaj tij sepse: “…Kuliçaj është i lidhur ngushtë me kryeministrin Berisha dhe çdo përpjekje për ta larguar apo detyruar atë të dorëhiqet, duhet të vijë nga zyra e kryeministrit”, shkruan ambasadori Uidhers në datën 25 nëntor 2009. Pa u ndalur këtu, por duke shënuar dhe faktin se një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, Dritan Dajti, vazhdonte të qëndronte në liri falë shërbimeve që i bënte atij vetë Kuliçaj.

Gjyqësori

Gjyqësori, si sistem, konsiderohet si i korruptuar nga qytetarët shqiptarë. Të njëjtën ide, madje edhe më të rëndë dhe më të faktuar, kanë dhe amerikanët për ta. Telegramet e ambasadorit Uidhers shënojnë të paktën dy raste të implikimit të ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë në lirimin e pakuptimtë të pasurive dhe pezullimin e dënimeve për trafikantë të qënieve njerëzore dhe të duhanit. Thimio Kondi përmendet personalisht me emër për këto vendime të marra në epilog të mandatit të tij si kryetar i gjykatës. E njëjta gjykatë, konsiderohet se ka dhënë vendime së paku të pakuptueshme dhe me dy standarte në rastin e proceseve të pambyllura kurrë për ministrat Mediu dhe Basha.

Sekretet

Duke gjykuar nga publikimet e rralla nën siglën sekret, që shoqëron telegramet, mund të gjykohet në një vështrim të parë se cilat janë interesat më të thella amerikane në Shqipëri. Dy telegramet e parë nën këtë sigël kanë të bëjnë me dhënien e azilit politik nga Shqipëria për pesë ujgurët e transferuar nga burgu i Guantanamos. Të dy ato i përkasin datave 8 dhe 9 maj 2006 dhe kanë të bëjnë i pari me mbërritjen e ujgurëve dhe i dyti me takimin e ish-ministrit të jashtëm të kohës, Besnik Mustafaj me ambasadorin kinez të akredituar në Tiranë. Përfshi këtu dhe komentet e medias, një pjesë e të cilës ishte kundër veprimit të qeverisë shqiptare.

Por dy janë temat më të nxehta që amerikanët i kanë klasifikuar sekret në telegramet e tyre. Ato kanë të bëjnë me SHISH-in dhe përpjekjet e kryeministrit Berisha për ta vënë atë nën kontroll dhe me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Në rastin e parë, ligji i propozuar për këtë shërbim nga maxhoranca, konsiderohej dhe si një rikthim në “famëkeqin sigurim të shtetit”, siç e quante Presidenti Topi, ndërsa amerikanët komentonin se ato do të dëmtonin edhe marrëdhëniet e partneritetit mes shërbimit shqiptar dhe CIA-s. Se kush fshihej mbas saj, ambasadori Uidhers e thotë fare qartë me një fjali të përmendur shpesh edhe në shtypin shqiptar: “Berisha ka refuzuar ta takohet me drejtorin e shërbimit…”, një refuzim që ka nisur që në vitin 2005 dhe vazhdon të jetë i tillë edhe sot. I paralelizuar me të njëjtën periudhë dhe duke ju referuar ligjit të rrëzuar për Lustracionin, Ambasadori Uidhers komenton kryeministrin si një ish-komunist që mbasi i ka dështuar karta e antikorrupsionit që e ka dëmtuar shumë imazhin e tij, i është rikthyer kartës së antikomunistit. Në rastin e dytë, amerikanët janë shumë të informuar, kryesisht për stokun e madh të municioneve që Shqipëria ka trashëguar nga regjimi komunist, rrezikun që ato sjellin jo vetëm për vendin, por sidomos, për mënyrën e menaxhimit të tyre, thyerjet e embargove ndërkombëtare ndaj vendeve nën embargo, kontaktet shqiptare me vende armiqësorë me SHBA-në dhe korrupsionin e kryer me tregtimin e këtyre armëve.

E fundit, por jo në fund

Qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara për botimet ilegale të Wikileaks-it është refuzimi i çdo komenti mbi to dhe nënvizimi se ato publikime do të dëmtonin interesat amerikane, por dhe të individëve të ndryshëm. Në rastin shqiptar, ka diçka tjetër që duhet reflektuar seriozisht. Shqipëria, me të drejtë konsiderohet vendi më proamerikan në Evropë. Një thyerje e besimit të publikut në këtë drejtim, ndodhi kryesisht mbas ngjarjeve tragjike të 21 janarit kur katër demonstrues u vranë gjakftohtësisht nga njerëz me apo pa uniformë nën dritaren e kryeministrit. Për herë të parë, në atë masë, u publikuan qëndrime kundër asaj çfarë dukej se mbështesnin apo kundërshtonin publikisht amerikanët. Pyetja e të paktës gjysmës së opinionit publik, mbështetës të opozitës, ishte se si kishte mundësi që vendi më i madh demokratik i botës, “mbështeste” një qeverisje që po merrte tiparet e një regjimi që mendohej i perënduar në Shqipëri. Botimet e fundit mbi “mendimet e fshehta” amerikane për çfarë ndodh në Shqipëri dhe për qeverisjen e vendit, dëshmojnë të kundërtën. Që Shqipëria të jetë e vërtetë, që aspirata demokratike e këtij vendi të shndërrohet në realitet, duhet të vazhdohet të ketë shpresë dhe besim në bregun tjetër të Atlantikut, ku një mekanizëm i stërmadh në shërbim të demokracisë, mund të mos ndjehet kur lëviz, por nuk është kurrë në prehje dhe në heshtje. Kushdo sot në Shqipëri ka të qartë thelbin e kësaj historie: mund t´i shpëtohet ndëshkimit për krim nga gjykatat shqiptare, mund të rritet numri i zerove në llogaritë bankare, por asgjë nuk mbetet pa dalë dhe pa u ndëshkuar minimalisht me turp. Nuk ka asgjë tjetër të përjetshme të këtë botë përveç të vërtetës absolute. Edhe në Shqipëri, në vendin e gënjeshtrave që politika i shet si karamele, herët a vonë, e vërteta do të ketë dritë.

Wikileaks në shifra – Zbardhet dosja shqiptare

Hidhen në internet të 452 mesazhet që Wikileaks zotëron nga ambasada amerikane në Tiranë. Brenda tyre ndodhen 152 mesazhe me statusin “Konfidenciale”, 3 mesazhe që s’duheshin parë nga stafi shqiptar dhe 8 mesazhe me siglën “Sekret”. Hapet kësisoj e gjithë dosja Wikileaks për ambasadën amerikanë në Tiranë

Wikileaks më në fund i zbuloi të gjitha kartat. Duke nisur nga java e shkuar, organizata e themeluar Julian Asange mundi të fusë online 251287 mesazhet elektronike të dërguara nga 274 ambasada e konsullata amerikane, në të katër anët e globit. Ky fond i jashtëzakonshëm informacioni shtrihet në një periudhë kohore 44 vjeçare, duke nisur nga kabllograme të vitit të largët 1966, deri në shkurtin e vitit 2010. Pra, një dritare në kohë, e cila përfshin dy epoka, atë të Luftës së Ftohtë, por edhe të pas rënies së Murit të Berlinit.

Dosja shqiptare e Wikileaks përmbante 452 mesazhe elektronike. Dy prej këtyre mesazheve ishin të vitit 1997, kurse 450 mesazhet e mbetura janë që të gjitha pas 20 marsit 2006. Që prej ditës së premte, të 452 mesazhet që janë nisur nga ambasada amerikane në Tiranë drejt Uashingtonit, janë publikuar në faqen e internetit të Wikileaks. Ndërkohë, kjo nuk është shifra totale e mesazheve ku përmendet vendi ynë, të cilat janë dërguar edhe nga ambasada të tjera në rajon. Numri total i këtyre mesazheve e kalon shifrën 800.

Muaj më parë, kur plasi skandali Wikileaks, revista Mapo botoi një zbërthim të simboleve që kishin mesazhet në kokën e tyre. Asokohe Wikileaks nuk kishte botuar ende asnjë mesazh të plotë për vendin tonë. Është gjithsesi interesante të kujtohet dhe një herë ajo strukturë materialesh, për të kuptuar se çfarë aspektesh mbulonte korrespondenca diplomatike mes Departamentit të Shtetit dhe përfaqësisë amerikane në Tiranë.

Sot ne dimë gjithçka rreth mendimeve të ambasadorëve Uithers e Rise, por edhe të bashkëpunëtorëve të tyre më të ngushtë, lidhur me figurat kryesore të politikës, shoqërisë civile e mediave shqiptare. Dimë gjithashtu se cili ka qenë zbërthimi që këta diplomatë të lartë i kanë bërë situatave kritike në të cilat ka kaluar vendi ynë në periudhën 2006-2010, përfshirë mendimet e komentet e tyre më konfidenciale.

Në 452 mesazhe, që tani janë të lexueshme për të gjithë, ka 153 mesazhe që mbajnë statusin “Konfidenciale”. Prej tyre, tre mesazhe mbajnë gjithashtu edhe statusin “Noforn”, i cili do të thotë se ato s’duhet të lexohen nga stafi shqiptar i ambasadës. Ndërkaq, në listë ndodhen edhe 8 mesazhe me statusin “Sekret”, të cilat, siç kuptohet, janë ato më delikatet.

452
mesazhe elektronike janë bërë publike të premten, të cilat janë nisur nga ambasada e amerikane drejt Uashingtonit

153
mesazhe mbajnë siglën ‘konfidenciale”. Dy prej tyre janë gjithashtu të formatit “noforn”, që do të thotë se s’duhen parë nga stafi shqiptar

8
mesazhe elektronike kanë statusin “sekret”. Kjo është edhe kategoria me më pak mesazhe të dërguara nga ambasada në Tiranë

251287
është numri total i mesazheve që Wikileaks ka bërë publike të premten, duke mbyllur kështu botimin e dosjes së diplomacisë amerikane në botë.

Tiparet dalluese të kabllogramave

Nga këqyrja e hollësishme e listës së mesazheve elektronike, vërehen këto elemente kryesore

Në morinë e 452 emaileve, dy prej tyre mbajnë datat 31 dhjetor 1997 dhe 8 gusht 1997. Mesazhi i 31 dhjetorit 1997 ka anash siglat PINR, PGOV, PARM, AL. Pra, sipas zbërthimit të këtyre simboleve, përmban çeshtje të shërbimeve sekrete (PINR), të kontrollit të armëve bërthamore (PARM) dhe çeshtje të brendshme të qeverisjes (PGOV). AL është simboli i Shqipërisë. Mesazhi i 8 gushtit 1997 ka anash siglat PGOV, PINR, AL. Pra trajton probleme të shërbimeve dhe të qeverisjes.

450 emailet e mbetura fillojnë të gjitha pas vitit 2006. më saktë, në 20 mars 2006.

Vihet re një dendësi e dukshme mesazhesh gjatë tre ngjarjeve kyçe që shtrihen në harkun kohor 1997-2010: shpërthimi i Gërdecit, hyrja në NATO dhe zgjedhjet e 29 qershorit 2009. Datat e nisjes së mesazheve janë veçanërisht të ngjeshura gjatë dhe pas këtyre evenimenteve.

Në listën prej 452 mesazhesh, numrin më të madh e përbëjnë ato me siglat PGOV, PREL dhe PHUM. Përkatësisht “çeshtje të brendshme të qeverisjes”, “marrëdhënie të jashtme politike” dhe “të drejtat e njeriut”. Me siglën PGOV janë dërguar 301 emaile, me siglën PREL janë dërguar 251 emaile dhe me siglën PHUM 134 emaile.

Përveç këtyre tre temave, në listë ka gjithashtu edhe mesazhe që trajtojnë vizita liderësh të huaj (tre emaile), mospërhapje të armëve bërthamore (50 emaile), siguria (14 emaile), shërbimet sekrete (32 emaile), marrëveshje ushtarake dhe të mbrojtjes (20 emaile), shitje dhe asistencë ushtarake (26 emaile) etj. (Revista Mapo / Lezha.eu)


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10